Pensionet private, rritje e ngadaltë edhe në tremujorin e tretë
Tregu i pensioneve private vullnetare vazhdoi të zgjerohet në tremujorin e tretë të vitit, por ritmi i rritjes mbeti modest krahasuar me periudhat e mëparshme.
Rritje e qëndrueshme, por depërtim i ulët
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, numri i anëtarëve në fondet private të pensioneve arriti në 48,864 në fund të shtatorit 2025, me një rritje tremujore prej 1.3% dhe një zgjerim prej 8.8% që nga fillimi i vitit. Edhe pse tregu shënon nivelet më të larta historike, pjesëmarrja mbetet e ulët: vetëm 6.4% e individëve që kontribuojnë në skemën publike paguajnë edhe për një pension privat.
Asetet në rritje, por treg i vogël financiar
Asetet neto të fondeve të pensioneve arritën në 9.3 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5% nga tremujori i kaluar dhe 9.5% që prej janarit. Nëse llogariten edhe fondet e mbyllura, totali i aktiveve ngjitet në 14.4 miliardë lekë. Investimet vijojnë të jenë të fokusuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare, ndërsa tregu mbetet segmenti më i vogël i sistemit financiar.
Pjesëmarrja e fondeve: kush kryeson tregun
Tregu administron shtatë fonde pensioni, të drejtuara nga katër shoqëri. Sipas numrit të anëtarëve, më të mëdhenjtë janë: Credins Pension me 40.04%, Sigal Max me 36.92%, Raiffeisen Pension me 10.61% dhe Albsig Pension me 9.67%. Sipas aseteve, renditja ndryshon lehtësisht, me Sigal Max në krye me 37.99% të totalit.
Ligji i ri sjell stimuj të rinj për kursimet pensionale
Ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”, në fuqi që nga fundi i 2023-it, ka rritur përjashtimet tatimore për kontributet në fondet private. Kufiri i përjashtimit mujor është rritur në nivelin e pagës minimale (40 mijë lekë), dhe nga viti 2026 do të shkojë në 50 mijë lekë. Kontributet e punëdhënësit për punëmarrësin përjashtohen po në të njëjtën masë. Përfitimet pensionale nuk tatohen për pjesën e kontributeve, por vetëm për fitimet nga investimet, me kusht që pagesa të tërhiqet gradualisht për të paktën dy vite.
Rekomandimet për forcimin e skemës private
Megjithë avantazhet e reja fiskale, rritja e fondit privat vijon të jetë e ngadaltë. Banka e Shqipërisë rikujtoi edhe këtë vit nevojën për ngritjen e kolonës së dytë të pensioneve private të detyrueshme dhe nxitjen e kolonës së tretë vullnetare, duke theksuar se skemat private do të reduktojnë presionin mbi buxhetin dhe skemën publike të pensioneve në afatin e gjatë.